Last Updated on 27/05/2026 by Kesjana
Një incident i pazakontë ka tronditur festivalin e famshëm të dritave “Vivid Sydney” në Australi, pasi 89 dronë ranë nga qielli gjatë një shfaqjeje ajrore mbi Darling Harbour, duke përfunduar në ujë dhe pranë zonave ku ndodheshin spektatorë.
Ngjarja ndodhi gjatë performancës “Star-Bound”, ku rreth 1 mijë dronë krijonin figura të ndriçuara në qiell. Sipas organizatorëve dhe kompanisë britanike “Skymagic”, problemi u shkaktua nga një ndryshim i papritur në frekuencat radio pas ngritjes së dronëve, çka ndikoi në sistemin e navigimit të tyre.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dronët humbin formacionin dhe bien me shpejtësi drejt ujit, ndërsa dëshmitarët thanë se disa prej tyre u përplasën shumë pranë njerëzve. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.
Pas incidentit, organizatorët anuluan menjëherë shfaqjet e planifikuara për ditët në vijim, ndërsa autoritetet australiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të defektit teknik. /kb
