Avokati Spartak Ngjela e cilësoi 26 majin e vitit 1996 si manipulimin më të madh zgjedhor në historinë e Shqipërisë, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha për deformim brutal të votës dhe grabitje të kutive të votimit.
I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report TV, Ngjela deklaroi se masakra zgjedhore e asaj kohe ishte edhe fillimi i rënies politike të Berishës, pavarësisht se pas zgjedhjeve arriti të siguronte 131 mandate në Parlament.
“Ishte një marrëzi e Saliut. Ishte turp historik. Ishte grabitje me dhunë e të gjitha kutive. I dolën sondazhet që nuk do të fitonte dot dhe prandaj bëri atë masakër”, u shpreh Ngjela.
Teksa rikujtoi klimën e tensionit dhe manipulimeve të asaj kohe, avokati la të kuptohej se Berisha ka pasur lidhje me agjentura të huaja, duke paralajmëruar publikimin e dokumenteve në të ardhmen.
“Do ta merrni vesh kur të dalin dokumentat, kush është ai dhe për kë ka luajtur”, deklaroi Ngjela.
Ai komentoi edhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke e lidhur drejtpërdrejt me standardin e zgjedhjeve dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, konferenca e tetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian është një tjetër sinjal afrimi drejt anëtarësimit, por gjithçka varet nga raportet me aleatët strategjikë.
“Më pranë jemi, por varet si i ka marrëdhëniet Rama”, tha Ngjela, duke shtuar se marrëdhënia kryesore për Shqipërinë mbetet ajo me Shtetet e Bashkuara
“Këtë marrëdhënie nuk e ka pasur të afërt dhe kjo na ka dëmtuar. Në 6 muajt e fundit kam informacion se ka ndryshuar trajektoren nga Parisi në Uashington. Ne jemi aleati kryesor i SHBA-ve në Ballkan”, deklaroi ai.
Ngjela vlerësoi edhe reformën në drejtësi dhe rolin e SPAK në luftën kundër korrupsionit, duke thënë se institucioni po jep rezultate konkrete falë mbështetjes ndërkombëtare.
“Korrupsioni është goditur rëndë dhe është drejt falimentimit. Është bërë një progres i mirë sepse SPAK ka ekspertë ndërkombëtarë. Monitorohet shumë dhe s’ka dhënë asnjë pafajësi”, tha ai.
Sipas Ngjelës, sulmet e Berishës ndaj SPAK nuk e dëmtojnë institucionin, por vetë kreun e opozitës.
“Më shumë dëmtojnë Berishën se SPAK-un. SPAK-un nuk e drejtojmë ne. Është ndihmë e madhe që na e kanë ngritur këtë institucion të shpëtojmë nga korrupsioni. Presidenti amerikan tha që do ia heqim korrupsionin Shqipërisë dhe SPAK po ia heq. Saliu që shet dëngla është i akuzuar. Nuk goditet gjykata në të cilën do gjykohesh. Kjo gjykatë ka ardhur në Shqipëri për të na ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Shpresa që kam unë në funksion të historisë së vendit është SPAK”, përfundoi ai./ET
