Rrjetet sociale janë po aq të dëmshme për fëmijët sa duhanpirja, deklaruan disa mjekë ekspertë britanikë, ndërsa u bënë thirrje ligjvënësve të marrin masa ndaj dëmeve që, sipas tyre, shkakton ekspozimi i tepërt para ekranit.
Akademia e Kolegjeve Mbretërore Mjekësore (Academy of Medical Royal Colleges) ilustroi në mënyrë të detajuar ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët në një dokument të prezantuar në fushën e konsultimit të qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve në internet, i cili u mbyll të martën.
“Renditet përkrah duhanpirjes dhe vendosjes së rripave të sigurimit në makina si një çështje që e bashkon profesionin mjekësor.”
“Të pakta janë çështjet që në vitet e fundit i kanë bashkuar mjekët njëzëri si ndikimi i ekspozimit të pakufizuar ndaj teknologjisë dhe pajisjeve në shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve”, tha organi, i cili përfaqëson 23 kolegjet dhe fakultetet mbretërore mjekësore të Mbretërisë së Bashkuar dhe të Irlandës.
Më shumë se gjysma e 132 mjekëve të anketuar kanë parë të paktën një rast dëmi te shëndeti që mund të lidhej me teknologjinë dhe pajisjet çdo javë, dhe mbi një e treta janë përballur me prova dëmi disa herë në javë, tha ai.
Dëmet varionin nga dëmtime fizike, për shembull të shkaktuara nga imitimi i akteve të pornografisë ekstreme, deri te ndikimet në shëndetin mendor, si trauma nga shikimi i dhunës në internet.
Britania e Madhe po vlerëson mundësinë e kufizimit të aksesit të minorenëve në rrjetet sociale, duke përfshirë ndalimin mundshëm për fëmijët nën 16 vjeç, kufizimin e kohës së përdorimit të aplikacioneve, si dhe masa kufizuese ndaj atyre që i ka cilësuar si veçori dizajni që krijojnë varësi.
Vitin e kaluar, Australia u bë vendi i parë që ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale te fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa vendet europiane po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Ligji britanik mbi sigurinë në internet detyron kompanitë e rrjeteve sociale të marrin masa për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e paligjshme dhe të dëmshme online, por qeveria është zotuar të shkojë më tej.
“Pyetja nuk është nëse do të veprojmë; ne do të veprojmë, qoftë përmes një ndalimi të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, qoftë përmes kufizimeve ndaj veçorive dhe funksioneve kyçe”, – deklaroi sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall, për BBC News.
Qindra familje britanike po testojnë ndalimin e rrjeteve sociale, orare kufizuese dhe kufizime të kohës për aplikacionet, për të parë si ndikojnë ato te gjumi, jeta familjare dhe detyrat shkollore të fëmijëve.
/ Reuters-A.D
