Një nga grabitjet më të bujshme që ka tronditur Francën vitet e fundit do të marrë jetë në ekranin e madh. Regjisori i njohur Romain Gavras po punon për adaptimin kinematografik të historisë së vjedhjes së bizhuterive me vlerë rreth 100 milionë euro nga muzeu i famshëm i Luvrit.
Filmi do të bazohet në librin “Main basse sur le Louvre”, i publikuar nga shtëpia botuese Flammarion dhe i shkruar nga tre gazetarë investigativë të mediave prestigjioze franceze Le Parisien, Le Monde dhe Paris Match.
Edhe pse kanë kaluar muaj nga ngjarja që tronditi opinionin publik, misteri vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Autorët e grabitjes ende nuk janë identifikuar dhe as sendet e vjedhura nuk janë gjetur, duke e kthyer çështjen në një nga enigmat më të mëdha kriminale në Francë.
Kompania e prodhimit Iconoclast bleu të drejtat e librit në tetor të vitit të kaluar, ndërsa deri tani nuk janë zbuluar detaje për kastin apo titullin zyrtar të filmit.
Skandali i grabitjes ngriti pikëpyetje të forta mbi sigurinë në muzeun më të vizituar në botë dhe pati pasoja edhe në drejtimin e institucionit, duke çuar në largimin e drejtoreshës Laurence des Cars.
Romain Gavras, i njohur fillimisht për videoklipet dhe filmat francezë, së fundmi debutoi në kinemanë anglishtfolëse me filmin “Sacrifice”, i prezantuar në Festivalin e Torontos, me një kast të njohur ndërkombëtar ku përfshihen Anya Taylor-Joy, Chris Evans, Salma Hayek dhe John Malkovich./mxh
