Presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, ka deklaruar se vendi i tij do të dëbojë konsullin rus në qytetin juglindor Konstanca dhe do të mbyllë konsullatën ruse, pas një incidenti me dron që përfshiu territorin rumun.
Sipas autoriteteve rumune, një dron rus i tipit “Gheran-2”, pjesë e një vale prej 43 dronësh të lëshuar nga Rusia ndaj Ukrainës, ka hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë, ku një prej tyre ka rënë duke shkaktuar një shpërthim në një zonë të banuar.
Presidenti Dan theksoi se përgjegjësia për incidentin bie plotësisht mbi Rusinë, të cilën e akuzoi për agresion të vazhdueshëm ndaj Ukrainës prej më shumë se katër vitesh.
Nga incidenti janë raportuar të plagosur lehtë një grua dhe një fëmijë në rajonin e Galacit, pranë kufirit me Ukrainën.
Në deklaratën e tij, kreu i shtetit rumun njoftoi gjithashtu se vendi po forcon kapacitetet e mbrojtjes ajrore dhe po nënshkruan kontrata të reja për pajisje ushtarake që pritet të dorëzohen brenda një deri në dy vite.
Ai shtoi se deri në ardhjen e këtyre sistemeve, Rumania po mbështetet në marrëveshjet bilaterale dhe bashkëpunimin brenda NATO-s për vendosjen e pajisjeve të nevojshme mbrojtëse në territorin e saj.
Presidenti Dan tha gjithashtu se ka diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për nevojën e urgjencës në forcimin e mbrojtjes ajrore në krahun lindor të Aleancës./MXH
