Last Updated on 31/05/2026 by EL
Ushtria izraelite ka zgjeruar zonën në jug të Libanit për të cilën u ka kërkuar banorëve të evakuohen, ndërsa po zgjeron më tej operacionet tokësore kundër Hezbollahut.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përsëritën paralajmërimin për të gjithë banorët në jug të lumit Zahrani që të largohen. “Kushdo që ndodhet pranë elementëve të Hezbollahut, objekteve apo mjeteve të tij luftarake, rrezikon jetën”, tha një zëdhënës.
Paralajmërimi erdhi pak pasi ushtria konfirmoi se kishte marrë nën kontroll kështjellën 900-vjeçare të Beaufort-it, një monument kulture dhe pikë strategjike në një kreshtë të lartë mbi lumin Litani. Çdo ditë po sjell një zgjerim të ri të luftës së Izraelit kundër Hezbollahut.
Paralajmërimi i fundit për evakuim është hera e dytë në ditët e fundit që Izraeli u ka kërkuar banorëve të largohen nga i gjithë jugu i vendit, në zonën poshtë lumit Zahrani.
Zëdhënësi i IDF-së tha se në operacion janë përfshirë “një numër i konsiderueshëm trupash tokësore të IDF-së” dhe se operacioni “aktualisht po zgjerohet në zona të tjera”.
Ky është një tjetër tregues i qartë se forcat tokësore izraelite po depërtojnë gjithnjë e më thellë në territorin libanez, përtej vijës së tyre fillestare të demarkacionit në lumin Litani./ET
