Peabo Bryson, një nga ikonat më të njohura të muzikës R&B dhe soul, është shtruar në spital pasi ka pësuar një goditje në tru. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesit e artistit, të cilët bënë të ditur se ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Sipas deklaratës zyrtare, familja e këngëtarit ka kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe mesazhet inkurajuese që kanë ardhur nga fansat dhe miqtë e artistit.
Në moshën 75-vjeçare, Bryson mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e muzikës amerikane. Ai ka lënë gjurmë të veçanta me baladat e tij romantike dhe bashkëpunimet e suksesshme, duke fituar vlerësime të shumta gjatë karrierës së tij disa dekadëshe.
Publiku e njeh veçanërisht për interpretimet e kolonave zanore të filmave të Disney-t, mes tyre “Beauty and the Beast” dhe “A Whole New World”, këngë që u kthyen në hite ndërkombëtare dhe fituan çmime prestigjioze.
Përveç tyre, repertori i tij përfshin edhe këngë të njohura si “Feel the Fire”, “Reaching for the Sky”, “If Ever You’re in My Arms Again” dhe “Can You Stop the Rain”, që e konsoliduan si një nga zërat më të dashur të muzikës soul.
Deri tani nuk janë dhënë informacione të tjera mbi gjendjen e tij aktuale, ndërsa admiruesit e tij në mbarë botën vazhdojnë t’i urojnë rikuperim sa më të shpejtë./mxh
