Last Updated on 02/06/2026 by EL
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurën për ndryshimin e rregullores që përcakton procedurat dhe afatet për licencimin e aktiviteteve në sektorin e gazit natyror. Vendimi synon përshtatjen e kuadrit rregullator me ndryshimet e bëra në ligjin “Për sektorin e gazit natyror”, duke përfshirë edhe aktivitete të reja që deri më tani nuk parashikoheshin në rregullore.
Pak ditë më parë ERE nisi dhe procedurat për miratimin e licencave tip për operimin e impianteve të gazit natyror të lëngshëm dhe gazit natyror të komprimuar me përmasa të vogla, në një kohë kur qeveria shqiptare po promovon idenë e krijimit të një hub-i gazi në Vlorë.
Më specifikisht, këto zhvillime vijnë pas nënshkrimit të Memorandumit për zhvillimin e hub-it energjetik të Vlorës dhe Marrëveshjes kuadër për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim konkret me Greqinë. Qeveria ka artikuluar ambicien për ta kthyer zonën në një nyje rajonale të gazit, duke u mbështetur tek infrastruktura ekzistuese e gazsjellësit TAP, projekti për terminalin e gazit të lëngshëm dhe përdorimi i TEC-it të Vlorës./ET
