Grupi i armatosur libanez Hezbollah ka kërcënuar se do të godasë qytetet izraelite Tel Aviv dhe Haifa, në rast se Izraeli ndërmerr sulme ndaj Bejrutit, periferive jugore të tij ose Luginës Bekaa në Liban, tha sot zyrtari i Hezbollahut, Mahmoud Komati për televizionin katarian “Al Araby”.
Paralajmërimi vjen pas deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se forcat izraelite do të shënjestrojnë zonën e Bejrutit, nëse Hezbollahu nuk ndalonte sulmet ndaj qyteteve izraelite.
Zyrtari i Hezbollahut, Bilal Lakkis, deklaroi se organizata, nuk do të pranonte asgjë më pak se një përfundim të plotë të luftës.
Ai shtoi se grupi nuk do të lejonte ushtrinë izraelite, të vepronte lirshëm në territorin libanez nga toka, ajri apo deti, dhe as të krijonte një “realitet pushtimi” në jug të Libanit.
Një armëpushim është në fuqi në Liban që nga prilli, ndërsa përfaqësuesit izraelitë dhe libanezë, po zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta, në Uashington me ndërmjetësim ndërkombëtar, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, mbi sigurinë e Izraelit dhe sovranitetin e Libanit.
Hezbollahu nuk është pjesë e këtyre negociatave.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), takimet do të vijojnë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për stabilitetin në rajon.
Mediet izraelite, përfshirë transmetuesin publik “Kan”, raportuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po shqyrtojnë trajnimin e ushtrisë libaneze, si pjesë e një plani për çarmatimin e Hezbollahut, megjithëse këto nisma nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Ditët e fundit, forcat tokësore izraelite, kanë avancuar në veri të lumit Litani në Liban, një zonë kyçe në konflikt.
Ushtria izraelite tha se po zhvillon operacione kundër infrastrukturës terroriste, dhe ka kryer mbi 100 sulme në këtë zonë, duke raportuar gjithashtu gjetjen e qindra armëve në banesa civile./mxh
