Sabrina Carpenter ka marrë një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje nga gjykata ndaj një burri 31-vjeçar, pas një sërë incidentesh që ajo i ka cilësuar si “thellësisht shqetësuese” në banesën e saj në Los Anxhelos.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga CBS, artistja pretendon se William Applegate është përpjekur të hyjë me forcë në shtëpinë e saj muajin e kaluar dhe është kthyer edhe dy herë të tjera, duke qëndruar për orë të tëra jashtë pronës së saj.
Në deklaratën e saj zyrtare, Carpenter shprehet se sjellja e tij i ka shkaktuar “frikë të vazhdueshme dhe të konsiderueshme për sigurinë personale”, duke e përshkruar rastin si një përvojë të rëndë të ngacmimit dhe shkeljes së privatësisë.
Ajo thotë se në një incident më 23 maj, burri ka hyrë në pronën e fqinjëve dhe është përpjekur të hapë derën e saj të përparme, duke i rënë ziles dhe duke refuzuar të largohej derisa mbërriti policia. Më pas ai është kthyer sërish brenda 24 orësh dhe është parë duke qëndruar pranë shtëpisë së saj.
Carpenter ka dorëzuar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në gjykatë dhe ka kërkuar mbrojtje jo vetëm për veten, por edhe për dy personat që jetojnë me të.
Një gjykatës ka pranuar përkohësisht kërkesën e saj, duke urdhëruar që i dyshuari të mos i afrohet më pak se 100 metra këngëtares, shtëpisë, makinës dhe vendit të saj të punës.
Një seancë e radhës gjyqësore është caktuar për 17 qershor, ndërsa burri pritet të dalë para gjykatës penale për akuzat e shkeljes së pronës private.
Hetuesi i policisë së Los Anxhelosit, Peter Doomanis, ka deklaruar se sjellja e tij tregon “shenja të një fiksimi të rrezikshëm dhe obsesiv”, i cili sipas tij përputhet me modele të njohura të sjelljes së stalker-ëve që mund të përbëjnë rrezik serioz për viktimën./mxh
