Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka dhënë një intervistë për CNBC, këtë të martë, 3 qershor, ku ka trajtuar disa çështje kyçe, nga marrëdhëniet me liderët europianë dhe raporti me Donald Trump, deri te tensionet me Iranin dhe mundësia e rifillimit të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë.
Sulme ndaj liderëve europianë
Netanyahu ka kritikuar ashpër disa liderë europianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, për qëndrimet ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit. Ai i akuzoi se “u përshtaten pakicave islamike radikale” dhe se nuk kanë guxim të mbështesin hapur Izraelin.
Sipas tij, këto qeveri “e dinë që ne po i mbrojmë, por nuk kanë guxim të rreshtohen në anën e duhur dhe të bëjnë atë që duhet për të shpëtuar qytetërimin tonë nga këta barbarë”.
Marrëdhënia me Trump
Kreu i qeverisë izraelite u ndal edhe te raporti me Donald Trump, duke zbuluar se komunikon me të “çdo dy ditë”. Ai theksoi se të dy ndajnë “objektiva të përbashkëta” dhe kanë dakordësi për çështjet kryesore.
Netanyahu minimizoi gjithashtu zërat për tensione mes tyre, duke mohuar që telefonata e fundit të përbëjë krizë. “Nëse mendoni se kjo është krizë, duhet të kishit qenë në biseda të tjera”, tha ai, duke shtuar se marrëdhënia mes tyre mbetet e fortë.
Ai pranoi se ndonjëherë ka “mospajtime taktike”, por theksoi se ato zgjidhen gjithmonë: “Mund të jemi në mospajtim në mëngjes dhe të kemi një veprim të përbashkët pasdite”.
Irani dhe skenari i përshkallëzimit
Në lidhje me Iranin, Netanyahu paralajmëroi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të rifillojnë veprime ushtarake “në shkallë të gjerë”, nëse do të jetë e nevojshme.
Ai vuri në dyshim stabilitetin e armëpushimit mes Uashingtonit dhe Republikës Islamike, duke e cilësuar situatën si një “lojë taktike”. Sipas tij, vendimi për një përshkallëzim të mundshëm i takon SHBA-së, por shtoi se “Izraeli është gati dhe edhe forcat amerikane janë gati”.
Në përfundim, Netanyahu ritheksoi se Izraeli dhe SHBA-të ndajnë të njëjtat objektiva strategjikë përballë Iranit, ndërsa një marrëveshje e mundshme mbetet ende e pasigurt./mxh
