Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, deklaroi se autoritetet rumune janë në kontakt me Ukrainën pas shpërthimit të një droni detar në portin e Konstancës, në Detin e Zi.
Droni shpërtheu pranë një terminali nafte pa shkaktuar viktima, ndërsa autoritetet evakuuan zonën përpara incidentit. Sipas presidentit rumun, prioriteti kryesor ishte mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe siguria e infrastrukturës portuale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Dan e cilësoi ngjarjen si incidentin e dytë serioz të sigurisë brenda një jave në bregdetin rumun. Ai tha se situata tregon rreziqet që sjell lufta në kufirin me Ukrainën dhe se Rumania do të vazhdojë të mbajë një nivel të lartë vigjilence.
Autoritetet rumune nuk kanë bërë të ditur ende nëse droni ishte me origjinë ukrainase apo ruse. Mediat lokale raportojnë se Ukraina kishte njoftuar paraprakisht Bukureshtin për lëvizjen e disa dronëve detarë në rajon.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritet me Rumaninë dhe paralajmëroi se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po kthehet gjithnjë e më shumë në një kërcënim të drejtpërdrejtë për vendet në kufirin lindor të Evropës.
Ngjarja vjen vetëm një javë pasi një dron rus goditi një pallat banimi në qytetin Galați, pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy persona. Ishte hera e parë që një dron godiste një zonë të dendur të banuar në territorin e një shteti anëtar të NATO-s.
Rumania ka njoftuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët e saj për forcimin e mbrojtjes ajrore dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm përballë rreziqeve që vijnë nga konflikti në Ukrainë./mxh
