Inteligjenca artificiale (IA) është përdorur për të zhvilluar një lloj vaksine terësisht të re, e cila mund të ofrojë mbrojtje ndaj një game të gjerë virusesh dhe potencialisht të parandalojë pandemitë, sipas studiuesve, raportoi BBC.
Ekipi i Universitetit të Kembrixhit tha se kjo është hera e parë, që një komponent kyç i një vaksine, projektohet tërësisht nga IA-ja, dhe më pas e testuar te njerëzit.
Vaksina është projektuar për të vepruar kundër të gjitha koronaviruseve, që përfshin variantet e Covid-19, si dhe viruse që aktualisht qarkullojnë te kafshët, por që kanë potencialin të shkaktojnë pandeminë e ardhshme.
Puna është ende në fazat e hershme, por ekipi tashmë po krijon vaksina të veçanta që mund të trajtojnë gripin dhe Ebola-n.
Vaksinat i mësojnë trupit tonë si të njohë një infeksion, duke rritur mundësinë për ta luftuar atë.
Megjithatë, disa viruse janë të afta të ndryshojnë pamjen e tyre, ose të pësojnë mutacione, duke bërë që vaksinat të humbasin shpejt efektivitetin.
Për këtë arsye, vaksinat kundër Covid-19 dhe gripit sezonal duhet të përditësohen rregullisht.
“Ne jemi gjithmonë një hap pas”, tha profesori Jonathan Heeney nga Universiteti i Kemnbrixhit.
”Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të dalim përpara kurbës, aq përpara sa të mund të mbrojmë kundër shpërthimeve apo pandemive të reja”, shtoi ai.
Si funksionon?
Zakonisht vaksinat projektohen duke u bazuar në një variant aktual të virusit.
Studiuesit e Universitetit të Kembrixhit morën kode gjenetike të njohura — “udhëzimet e jetës” — nga një sërë koronavirusesh të regjistruara nga programet e survejimit, për identifikimin e kërcënimeve potenciale virale.
Këto kode gjenetike u analizuan nga inteligjenca artificiale, e cila më pas projektoi një “super-antigjen”, që mund të trajnojë sistemin imunitar, në mënyrë të tillë që të ofrojë mbrojtje kundër gjithë familjes së koronaviruseve, edhe nëse ato ndryshojnë ose kalojnë nga kafshët te njerëzit.
Antigjenet janë përbërësit kryesorë të vaksinave, pasi janë elementët që sistemi imunitar mëson të sulmojë.
Heeney tha se kjo ishte hera e parë që një antigjen i dizajnuar nga IA-ja, testohet te njerëzit, duke e cilësuar teknologjinë si “befasuese” dhe “të jashtëzakonshme, për atë që mund të bëhet për të mirën e njerëzimit.
“Kjo ka të bëjë me krijimin e vaksinave që na mbrojnë jo vetëm nga viruset e sotme, por edhe nga ato që mund të shkaktojnë shpërthimin e ardhshëm të sëmundjeve”, shtoi ai.
“Ky është një ndryshim themelor në mënyrën se si përgatitemi për pandemitë”, tha ai.
Provat klinike, të kryera në 39 persona, vlerësuan sigurinë e vaksinës.
Një studim i dytë, me rreth 200 pjesëmarrës, do të japë një kuptim më të plotë mbi aftësinë e vaksinës për të stimuluar sistemin imunitar.
Gjetjet e publikuara në “Journal of Infection” treguan se ndikimi në sistemin imunitar ishte “i moderuar”, por megjithatë kanë ngjallur interes të madh.
Profesori Saul Faust nga Universiteti i Southampton, i cili udhëhoqi disa nga testimet, tha se projektimi i vaksinës, i bazuar në IA “ka potencial të qartë”.
“Ajo që është veçanërisht interesante është se kjo teknologji është shumë më e mirë në dizajnimin e vaksinave për pandemitë e mundshme, kur viruset po ndryshojnë vazhdimisht”, tha ai.
Ekipi po kryen gjithashtu kërkime në kafshë, për vaksina universale kundër gripit sezonal, që nuk do të kërkonin përditësim çdo vit, si dhe një vaksinë kundër gripit të shpendëve H5N1.
Po ashtu, po zhvillohen edhe vaksina për ethet hemorragjike virale, që përfshijnë edhe llojet e Ebola-s.
Profesori Andy Pollard nga “Oxford Vaccine Group”, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se kjo qasje po jep prova bindëse në kërkimet me kafshë.
Profesoresha Marian Knight nga Instituti Kombëtar për Kërkime në Shëndetësi tha se suksesi i këtij “super-antigjeni” të dizajnuar nga IA-ja, përbën një hap të rëndësishëm në aftësinë për të ofruar mbrojtje të gjerë dhe afatgjatë ndaj viruseve.
Ndërsa ministri i Shkencës, Lord Vallance, e cilësoi këtë si një tjetër histori suksesi të shkencës britanike dhe një shembull të bashkimit të kërkimit shkencor me inteligjencën artificiale për zhvillimin e trajtimeve të reja./mxh
