Shtetet e Bashkuara po vlerësojnë mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira të Iranit për të mbuluar kostot e dëmeve që Uashingtoni ia faturon Teheranit në vendet aleate të Gjirit Persik.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka ngarkuar një ekip ekspertësh për të përllogaritur dëmet e shkaktuara në Kuvajt, Bahrein dhe vende të tjera të rajonit.
Synimi i këtij plani është që fondet iraniane të ndihmojnë në financimin e rindërtimit dhe riparimeve, ndërkohë që kjo masë mund të shtrihet edhe për të mbuluar dëmet nga veprimet e mundshme të ardhshme të Iranit.
Ky vendim vjen në një moment krize për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Vetëm një ditë më parë, një këshilltar i udhëheqësit suprem iranian kushtëzoi progresin e bisedimeve me lirimin e 24 miliardë dollarëve të aseteve të ngrira nga ana e SHBA-së. Në këtë klimë, iniciativa amerikane për përdorimin e këtyre fondeve pritet të përshkallëzojë edhe më tej tensionet mes dy vendeve.
Ndërkohë, situata e sigurisë mbetet tejet e brishtë. Forcat amerikane goditën së fundmi disa sisteme radarësh iranianë në Ngushticën e Hormuzit, si dhe rrëzuan disa dronë që kërcënonin lundrimin detar.
Në përgjigje të këtyre sulmeve, Irani pretendoi se ka shënjestruar me raketa balistike bazat ushtarake të SHBA-së në Kuvajt dhe Bahrein. Sipas raporteve zyrtare, shumica e raketave u neutralizuan me sukses nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Nga ky sulm u regjistruan vetëm dëme materiale dhe nuk pati viktima në njerëz.
Nga ana tjetër, vatra e tensioneve është zgjeruar edhe në kufirin mes Izraelit dhe Libanit. Tel Avivi njoftoi se ka interceptuar dy predha të lëshuara nga territori libanez, duke shtuar rrezikun për një përfshirje më të gjerë rajonale në konflikt./mxh
