Last Updated on 08/06/2026 by Leonard
Nga Leonard Veizi
Ashtu siç matet me territore të pushtuara, ashtu ka dhe çaste kur lufta nuk matet as me territore të pushtuara dhe as me tanke të shkatërruara apo me flamuj të ngritur mbi kodra. Sepse ka çaste kur e gjithë lufta përmblidhet në një njeri të vetëm, të humbur mes pyjeve, të ndjekur nga vdekja dhe të mbajtur gjallë vetëm nga instinkti. Në ato çaste, historia nuk shkruhet nga ushtritë, por nga një njeri i vetëm dhe vendosmëria e tij në kushte mbijetese për të parë edhe një herë dritën e agimit…
…Në filmin”Behind Enemy Lines”, prodhim i vitit 2001 e që në shqip njihet “Pas vijave të armikut”, një pilot amerikan rrëzohet në territor armik dhe nis një betejë të dëshpëruar për mbijetesë, ndërsa një komandant këmbëngul të mos e lërë pas. Për miliona shikues, kjo ishte një histori aksioni hollivudian. Por pas skenarit fshihej një ngjarje e vërtetë, e lindur në qiellin e përgjakur të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1990.
Qielli i Bosnjës
Bosnja e vitit 1995 ishte një tokë e përgjakur. Qielli mbushej me avionë luftarakë, ndërsa poshtë tyre fshatra të tëra jetonin nën hijen e ftohtë të armëve. Në atë qiell fluturonte edhe kapiteni amerikan Skot O’Grejdi, pilot i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Misioni i tij ishte thjesht një nga qindra fluturimet rutinë të NATO-s mbi territorin boshnjak. Por lufta ka një zakon të vjetër e mizor: ajo e shndërron rutinën në tragjedi brenda pak sekondash.
Gjatë fluturimit, avioni i tij u godit dhe O’Grejdi u detyrua të katapultohej në një rajon të kontrolluar nga forcat serbe – një zonë që NATO e konsideronte territor armik. Nga lart ai ishte pilot; sapo preku tokën, u kthye në pre.
Gjuetia primitive
Në ato pyje të lagështa dhe kodra të mbushura me patrulla, filloi beteja e tij e vërtetë. Jo më kundër avionëve apo raketave, por kundër urisë, etjes dhe vetmisë dërrmuese. Çdo zhurmë mund të ishte një ushtar që afrohej. Çdo hap duhej peshuar me jetën. Çdo natë mund të ishte e fundit.
Për gjashtë ditë me radhë, O’Grejdi mbijetoi duke zbatuar me përpikëri gjithçka që kishte mësuar në stërvitjet ushtarake për raste të tilla. Ai u ushqye me gjethe, bar dhe insekte. Mblodhi pikëzat e shiut me një sfungjer dhe i ruajti në qese plastike. Fjeti pak, lëvizi kryesisht natën dhe shmangu çdo kontakt që mund të zbulonte praninë e tij.
Në një luftë ku teknologjia moderne sundonte qiellin, mbijetesa e tij u kthye në diçka primitive: një njeri i vetëm përballë natyrës së egër dhe gjuetarëve që e kërkonin.
Misioni i shpëtimit
Ndërkohë, komanda amerikane nuk e kishte humbur shpresën. Përmes sinjaleve të radios dhe përpjekjeve të pandërprera të kërkimit, u organizua një operacion shpëtimi që kërkonte guxim të jashtëzakonshëm dhe saktësi kirurgjikale. Më në fund, pas gjashtë ditësh ankthi, marinsat amerikanë arritën ta lokalizonin dhe ta nxirrnin nga territori armik.
Kur helikopterët e shpëtimit u ngritën në ajër, ata nuk po merrnin me vete thjesht një pilot të mbijetuar. Po merrnin një histori që do të kthehej në simbol të vullnetit njerëzor për të jetuar; dëshminë se, mes makinerisë së ftohtë të luftës, arma më e fortë mbetet ende instinkti i mbijetesës.
Trashëgimia kinematografike
Vite më vonë, kjo dramë njerëzore frymëzoi filmin “Pas vijave të armikut” apo “Behind Enemy Lines”, ku Ouën Uillson interpretoi pilotin e izoluar pas vijave armike, ndërsa Xhin Hekman luajti komandantin e vendosur që sfidon urdhrat për ta sjellë atë gjallë në shtëpi.
Megjithëse filmi mori liri të konsiderueshme artistike, thelbi mbeti i pandryshuar: historia e një njeriu që, për gjashtë ditë, jetoi në kufirin e hollë mes jetës dhe vdekjes dhe refuzoi të dorëzohej.
