Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se është optimist që negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Europian mund të nisin së shpejti.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Berlin me homologen hungareze, Anita Orban, Wadephul tha se bisedimet mes Ukrainës dhe Hungarisë për çështjen e të drejtave të pakicave po zhvillohen në mënyrë konstruktive.
Sipas tij, të dyja palët po punojnë për të gjetur një zgjidhje dhe Gjermania është e gatshme të tregojë durim për ta çuar procesin drejt përfundimit. Ai shtoi se është optimist që kjo mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orban, bëri të ditur se po punohet për organizimin e një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Orban theksoi se Hungaria mbështet një proces anëtarësimi në Bashkimin Europian të bazuar në meritë, duke nënvizuar se Ukraina, ashtu si çdo vend tjetër kandidat, duhet të përmbushë të gjitha kriteret dhe kushtet e përcaktuara nga metodologjia e zgjerimit të BE-së.
Megjithatë, Budapesti mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për ndihmën ushtarake ndaj Kievit. Anita Orban deklaroi se Hungaria nuk mbështet dërgimin e armëve në Ukrainë dhe nuk do të furnizojë me armë vendin fqinj.
Ukraina po shtyn përpara procesin e integrimit europian, në një kohë kur lufta me Rusinë vazhdon prej më shumë se katër vitesh. Javën e kaluar, kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko njoftoi se të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për hapjen e bisedimeve mbi grupin e parë të kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë./mxh
