Lituania ka njoftuar një investim të madh për modernizimin e forcave të saj të armatosura, duke planifikuar blerjen e automjeteve ushtarake nga prodhuesi gjerman “Mercedes Benz”.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se marrëveshja, me vlerë rreth 1 miliard euro, synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse dhe logjistike të ushtrisë lituaneze.
Sipas autoriteteve, kontrata është nënshkruar me përfaqësuesin lokal të kompanisë gjermane dhe parashikon furnizimin e ushtrisë me automjete të tipit “G-Class”, si dhe kamionë ushtarakë të modeleve “Mercedes-Benz Zetros”, “Mercedes-Benz Arocs” dhe “Mercedes-Benz Unimog”. Dorëzimet do të kryhen gradualisht nga viti 2026 deri në vitin 2032.
Ministria e Mbrojtjes e cilësoi këtë projekt si një nga investimet më të mëdha ndonjëherë në logjistikën e forcave të armatosura lituaneze. Automjetet e reja do të përdoren për transportin e trupave, armëve, municioneve dhe furnizimeve, duke rritur gatishmërinë operacionale të ushtrisë.
Një pjesë e financimit do të sigurohet përmes programit evropian SAFE, i cili ofron kredi për investime në mbrojtje dhe siguri. Kjo tregon përpjekjet në rritje të vendeve evropiane për të forcuar aftësitë e tyre ushtarake në një mjedis të tensionuar sigurie.
Lithuania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian ndan kufij me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë. Për këtë arsye, Vilniusi e konsideron luftën në Ukrainë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e tij kombëtare.
Qeveria lituaneze ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake gjatë viteve të fundit dhe po investon në modernizimin e forcave të saj të armatosura. Marrëveshja me “Mercedes-Benz” është pjesë e kësaj strategjie më të gjerë për të rritur aftësitë mbrojtëse dhe për t’u përballur me sfidat e sigurisë në krahun lindor të NATO-s./mxh
