Last Updated on 10/06/2026 by EL
Një plazh në Sardenjë të Italisë ka ndezur debat në Itali pasi autoritetet vendore kanë ndaluar vendosjen e çadrave për pushuesit nga 10 deri në 65 vjeç.
Rregulli i ri po zbatohet në plazhin Punta Molentis, në Villasimìus, në juglindje të ishullit, si pjesë e masave për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e zonës së mbrojtur natyrore.
Sipas udhëzimeve të reja, vetëm familjet me fëmijë nën 10 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç lejohen të vendosin një çadër në plazh. Për më tepër, pushuesit duhet të paguajnë 10 euro për të hyrë në plazhin publik.Vendimi ka shkaktuar habi dhe pakënaqësi mes italianëve. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar komentet ironike.
“Për të vendosur një çadër duhet të marr me qira një fëmijë?”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentoi me humor: “Pra ose duhet të marr gjyshin me vete, ose të bëj një fëmijë deri nesër që të shkoj në plazh me çadër”.
Shumë pushues kanë ngritur shqetësime edhe për rrezikun e ekspozimit në diell, duke paralajmëruar probleme si goditja nga të nxehtit apo kanceri i lëkurës.
Autoritetet e Villasimìus argumentojnë se masat janë marrë për të mbrojtur Punta Molentis pas një zjarri të madh që përfshiu zonën verën e kaluar, si edhe pas dëmeve të shkaktuara nga kushtet ekstreme detare.
Përveç çadrave, janë ndaluar edhe tendat, gazebot dhe çdo strukturë tjetër që krijon hije. Kufizimet do të mbeten në fuqi deri në fund të tetorit.
Ndërkohë, në disa zona të tjera turistike të Italisë po merren masa të ngjashme për menaxhimin e fluksit të pushuesve. Në plazhin Jesolo pranë Venecias, autoritetet kanë reduktuar me 20 mijë numrin e shezlongëve dhe çadrave për të krijuar më shumë hapësirë mes vizitorëve.
Debati për plazhet publike është bërë gjithnjë e më i fortë në Itali, teksa kostot e shezlongëve dhe çadrave në plazhet private janë rritur ndjeshëm vitet e fundit/et
