Sipas një analize të publikuar nga The New York Times, sulmet ajrore amerikane të kryera të mërkurën, 10 qershor, në jug të Iranit mund të kenë shkatërruar një impiant që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm pranë Ngushticës së Hormuzit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se objektivi i sulmit ishin depozitat e ujit, ndërsa një zyrtar lokal tha se ndërprerja e furnizimit preku më shumë se 20 mijë banorë në një qytet dhe fshatrat përreth, në një periudhë kur temperaturat kanë kaluar 38 gradë Celsius.
Pamjet satelitore tregojnë dëmtime në dy struktura të sistemit të ujësjellësit në fshatin Bemani. Sipas autoriteteve iraniane, të dy rezervuarët e ujit janë dëmtuar nga sulmi.
Nuk dihet ende nëse SHBA-të i kanë goditur qëllimisht këto objekte apo nëse ishin në dijeni se ato shërbenin si infrastrukturë civile. Ekspertët theksojnë se një sulm i qëllimshëm ndaj objekteve civile mund të konsiderohet krim lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas raportit, fragmentet e gjetura në vendngjarje mund të jenë pjesë të një bombe precize GBU-39, e përdorur zakonisht për goditje me saktësi të lartë.
Nga ana e tij, Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) ka konfirmuar se kreu operacione në zonë me municione preçize, por nuk ka dhënë detaje shtesë për dëmtimin e impiantit të ujit.
Sipas autoriteteve iraniane, furnizimi me ujë u rikthye brenda 12 orësh përmes zgjidhjeve emergjente dhe ndërtimit të një linje të re furnizimi./mxh
