Familja mbretërore e Tajlandës ka njoftuar vdekjen e Princeshës Bajrakitiyabha, e cila kishte kaluar më shumë se tre vite në koma pas një kolapsi të pësuar në fund të vitit 2022. Ajo ishte 47 vjeçe.
Sipas deklaratës së pallatit mbretëror, princesha ndërroi jetë në spitalin Chulalongkorn në Bangkok, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gradualisht pavarësisht kujdesit intensiv të ekipit mjekësor.
Bajrakitiyabha u rrëzua në dhjetor të vitit 2022 ndërsa po stërviste qentë e saj. Mjekët konstatuan se shkaku ishte një çrregullim i rëndë i ritmit të zemrës, i shkaktuar nga një infeksion mykoplazmatik në zemër, shkruan BBC.
E njohur për karrierën e saj të suksesshme dhe angazhimin në çështjet sociale, ajo konsiderohej një nga figurat më të respektuara dhe më të afta të familjes mbretërore tajlandeze. Princesha ishte vajza e madhe e Mbretit Maha Vajiralongkorn dhe lindi më 7 dhjetor 1978.
Ajo kishte studiuar drejtësi dhe kishte përfunduar dy diploma pasuniversitare në Universitetin Cornell në Shtetet e Bashkuara. Më pas shërbeu në misionin e Tajlandës pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe punoi në zyrat e Prokurorit të Përgjithshëm në vendin e saj.
Nga viti 2012 deri në vitin 2014, Bajrakitiyabha ishte ambasadore e Tajlandës në Austri, ku bashkëpunoi ngushtë me Zyrën e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC). Ajo u bë një zë i rëndësishëm për reformimin e sistemit penal, duke mbrojtur veçanërisht të drejtat e grave të burgosura dhe personave në nevojë.
Në vitin 2021, mbreti e emëroi shefe të stafit në njësinë e tij private të sigurisë, duke i dhënë gradën gjenerale.
Përveç karrierës publike, princesha ishte e apasionuar pas sportit dhe aktivitetit fizik, duke marrë pjesë shpesh në gara të vrapimit në distanca të gjata dhe aktivitete çiklizmi.
Vdekja e saj rihap diskutimet mbi trashëgiminë e fronit tajlandez. Mbreti Vajiralongkorn, 73 vjeç, ende nuk ka emëruar zyrtarisht një pasardhës. Për shumë mbështetës të monarkisë, Bajrakitiyabha konsiderohej si një figurë e fortë dhe e besueshme që mund të luante një rol kyç në të ardhmen e institucionit mbretëror.
Me largimin e saj, një nga figurat më të spikatura të familjes mbretërore tajlandeze lë pas një boshllëk të madh, ndërsa çështja e pasardhësit të fronit mbetet ende e paqartë./a.d
