Një studim i ri shkencor ka zbuluar se varfëria dhe kushtet socio-ekonomike ndikojnë në zhvillimin e trurit të fëmijëve më shumë sesa mënyra e prindërimit apo koeficienti i inteligjencës (IQ).
Studiuesit analizuan skanime të trurit të afro 12 mijë fëmijëve 9 dhe 10 vjeç dhe arritën në përfundimin se statusi socio-ekonomik i familjes është faktori mjedisor më i rëndësishëm që ndikon në strukturën dhe funksionimin e trurit.
Sipas studimit, të ardhurat e familjes, niveli i varfërisë në komunitet dhe faktorë të tjerë ekonomikë shpjegojnë rreth 16% të ndryshimeve në funksionimin e trurit të fëmijëve. Ekspertët theksojnë se këto efekte lidhen kryesisht me stresin kronik, mungesën e gjumit dhe kushtet më të vështira të jetesës.
Kur studiuesit morën parasysh dallimet ekonomike mes familjeve, lidhja mes IQ-së dhe shumë karakteristikave të trurit u dobësua ndjeshëm.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se varfëria nuk përcakton domosdoshmërisht të ardhmen e një fëmije. Sipas tyre, investimet në mirëqenien sociale, uljen e stresit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës mund të ndihmojnë në zbutjen e këtyre efekteve. Gjumi cilësor, mbështetja emocionale dhe një mjedis i qëndrueshëm familjar konsiderohen faktorë të rëndësishëm mbrojtës.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Science, konsiderohet një nga analizat më të mëdha të kryera deri më sot mbi lidhjen mes kushteve ekonomike dhe zhvillimit të trurit tek fëmijët./et
