Last Updated on 14/06/2026 by Kesjana
Aktivistja Marsela Koçi ka ripërsëritur qëndrimin e saj se diaspora shqiptare mbetet forca e vetme që mund të sjellë ndryshime reale në Shqipëri dhe të përballet me atë që ajo e cilëson si “sistem i inkriminuar 36-vjeçar”.
Në një reagim publik, Koçi shprehet se lëvizjet dhe organizatat që janë krijuar dhe zhvilluar brenda vendit nuk mund të jenë të pavarura nga politika, pasi sipas saj janë të lidhura me të njëjtat struktura që kanë ndikuar në gjendjen aktuale.
Ajo tha se nga data 20 qershor deri ne 15 korrik, diaspora do organizojë protesta në Tiranë.
“Vetëm diaspora shqiptare mund ta ndryshojë situatën në Shqipëri, vetëm diaspora mund ta rrëzojë sistemin e inkriminuar 36-vjeçar. Nuk e rrëzojnë dot këtë sistem lëvizjet dhe organizatat e rritura nën gjirin e atyre që i ushqejnë”, shkruan ajo.
Koçi thekson se problemi kryesor ndodhet në Tiranë, të cilën e konsideron si “kokën e gjarprit”, duke argumentuar se pa adresuar burimin e problemit, përpjekjet për ndryshim mbeten të kota.
Ajo kritikon gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, u organizua përfaqësimi i diasporës para dhënies së së drejtës së votës, duke pretenduar se u krijuan struktura dhe përfaqësues të lidhur me politikën për të ndikuar rezultatin.
Në fund të reagimit, Koçi vlerëson ata shqiptarë që, sipas saj, vazhdojnë të denoncojnë dhe të sfidojnë klasën politike, ndërsa shton se shumë prej atyre që nuk kanë folur më parë, vijojnë të mos flasin as sot, por vetëm “imitojnë dhe devijojnë”.
https://www.facebook.com/share/v/1DAHfnQtwX/?mibextid=wwXIfr
