Një spektakël i rrallë natyror është regjistruar në ujërat e zonës Karaburun–Sazan pranë Vlorës, ku një grup turistësh ka përjetuar momente të veçanta gjatë një ekskursioni.
Teksa lundronin në këtë hapësirë detare të njohur për bukuritë e saj, turistët janë surprizuar nga shfaqja e delfinëve, të cilët janë afruar pranë mjetit lundrues dhe i kanë shoqëruar për disa minuta. Skena ka krijuar një “show” që ka lënë mbresa të forta te vizitorët.
Sipas guidave turistike që operojnë në zonën e Vlorës, prania e delfinëve në Karaburun–Sazan nuk është e pazakontë, por çdo herë konsiderohet një përvojë e veçantë dhe e paharrueshme për turistët. Ata theksojnë se këto takime spontane e rrisin edhe më shumë atraktivitetin e turizmit detar në jug të Shqipërisë./a.d
