Velipoja dhe Shëngjini rezultojnë të jenë zonat bregdetare më problematike në vend për sa i përket rasteve të fëmijëve që humbin kontaktin me familjarët gjatë pushimeve verore. Alarmin e ngriti Sekretarja e Federatës së Vrojtuesve të Plazhit, Eni Metaj, e cila tha se gjatë fundjavave të muajve korrik dhe gusht raportohen dhjetëra raste të tilla.
“Numrat e fëmijëve që humbin në plazh në fakt gjatë fundjavave të verës janë shumë të lartë. Unë mund të them që gjatë fundjavave të verës, janë dhjetëra fëmijë të cilët humbin dhe gjenden më pas. Nuk kemi pasur raste fatale për këtë. Janë momente shpërqendrimi, momente mbipopullimi të plazheve, sidomos në Adriatik, Velipoja, Shëngjini, duke qenë se ka numra shumë të mëdhenj pushuesish, sidomos gjatë muajit korrik dhe gusht. Rastet janë të shumta”, u shpreh ajo në Dita Jonë.
Sipas Metajt, shumica e rasteve zgjidhen brenda një kohe të shkurtër falë bashkëpunimit të ngushtë mes vrojtuesve të plazheve dhe Policisë së Shtetit, duke shmangur pasoja serioze.
“Vrojtuesit e plazheve bëjnë një punë shumë të mirë edhe për të kërkuar dhe për gjetur. Kemi pasur gjithmonë raste të cilat janë zgjidhur si nga komunikimi i vrojtuesve si nga bashkëpunimi me policinë. Mesazhet që vijnë në grupet e WhatsAppit të vrojtuesve janë të shumta”.
Ajo theksoi se roli i prindërve mbetet vendimtar për sigurinë e fëmijëve në plazh dhe në pishina. Sipas saj, shpërqendrimi nga telefonat celularë apo rrjetet sociale mund të jetë i rrezikshëm, pasi incidentet në ujë ndodhin brenda pak sekondash. Një nga rekomandimet kryesore është që fëmijët të veshin rroba ose aksesorë me ngjyra të ndezura apo neon, të cilat i bëjnë më të dallueshëm në ambiente të mbipopulluara.
Duke iu referuar statistikave ndërkombëtare, Metaj nënvizoi se fëmijët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të rasteve të mbytjeve në nivel global.
“Sipas një studimi të bërë nga Organizatat Botërore e Shëndetit fëmijë nga 0 deri në 15 vjeç përbëjnë 43% të të mbyturve në botë që është një numër shumë i lartë. Dhe nga një deri në pesë vjeç është një përqindje tepër e lartë dhe janë kryesisht fëmijë që mbyten në pishina dhe ndodh që është një mbytje shumë e shpejtë, ndonjëherë dhe e heshtur nuk janë ato zhurmat, thirrjet për ndihmë dhe nuk kuptohet nga të rriturit edhe pse mund të jenë aty. Por dhe ndërkohë besoj që të kesh një shenjë identifikuese të jesh më lehtësisht i dallueshëm mendoj që do ndihmonte shanset në këto raste”./a.d
