Last Updated on 18/06/2026 by EL
Gjeneral Piro Ahmetaj, ka reaguar përmes një mesazhi publik pas emërimit zyrtar të Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Gjeneralit të mirënjohur Eric Wendt. Duke e cilësuar si një privilegj pjesëmarrjen në këtë moment historik, Ahmetaj ka përcjellë urimet më të përzemërta edhe për 250-vjetorin e SHBA-së.
Në reagimin e tij, Ahmetaj ka theksur mirënjohjen e thellë të kombit shqiptar për mbështetjen jetike që SHBA ka dhënë historikisht, që nga njohja e pavarësisë në vitin 1912, çlirimi i Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, e deri te përparimi i pandalshëm euroatlantik i rajonit.
Më tej, Ahmetaj shprehet plot besim se eksperienca dhe statura e Gjeneralit Wendt do të shërbejnë për të çuar përpara interesat e përbashkëta gjeopolitike.
“Besimplotë se Gjenerali i mirënjohur, zyrtarisht Ambasador në Shqipëri, jo vetëm do të mbrojë dhe zhvillojë më tej interesat gjeopolitike, fatmirësisht të ndërthurura mes SHBA-së në rajon dhe Mesdhe, POR edhe do të kontribuojë në rikthimin e besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale,” nënvizon Ahmetaj.
Në mbyllje të mesazhit të tij, Gjenerali Ahmetaj ka uruar jetëgjatësi për këtë aleancë të palëkundur: “Zoti e bekoftë partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA edhe për 250 vitet në vijim.”/ET

