Last Updated on 19/06/2026 by Anisa
Një debat i fortë u zhvillua në studion e emisionit “Shqipëria Live”, ku analisti Albatros Rexhaj u përfshi në një përplasje verbale me moderatoren Sidorela Gjoni dhe deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri.
Debati nisi pas diskutimeve mbi përplasjet e fundit mes deputetëve të kësaj force politike, Agron Shehaj dhe Erald Kaprit, me Kryeministrin Edi Rama, si dhe mbi protestat e zhvilluara në Tiranë.
Gjatë diskutimit, Rexhaj reagoi i revoltuar duke deklaruar se nuk do të pranonte të sulmonte Kryeministrin.
“Mua nuk më bëni dot të shaj Ramën. Herës tjetër mbusheni studion me njerëz që e shajnë Edi Ramën, por mua s’më bëni dot,” u shpreh ai.
Në përgjigje, moderatorja Sidorela Gjoni theksoi se emisioni fton të ftuar me mendime të ndryshme, duke i dhënë hapësirë debatit.
“Unë e mbush studion me njerëz që mendojnë ndryshe,” tha ajo.
Situata u tensionua më tej kur Rexhaj e quajti moderatoren “bullizuese”, ndërsa Gjoni iu përgjigj shkurt: “Mirupafshim Albatros!”
Në debat u përfshi edhe Erald Kapri, i cili nuk kurseu ironinë ndaj analistit.
“Bëji të fala Edi Ramës,” u shpreh Kapri.
Në kulmin e përplasjes, Rexhaj u ngrit nga karrigia dhe u largua nga studioja, duke ndërprerë pjesëmarrjen në emision.
Pjesë nga debati-
Rexhaj: Mua nuk më bëni dot të shaj Ramën. Herës tjetër mbusheni studion me njerëz që e shajnë Edi Ramën, por mua s’më bëni dot.
Sidorela: Unë e mbush studion me njerëz që mendojnë ndryshe.
Rexhaj: Të uroj fat zonja bullizuese.
Sidorela: Mirupafshim Albatros!
Kapri: Bëji të fala Edi Ramës.
