Bad Bunny ka vendosur një tjetër rekord historik në industrinë e muzikës, duke u bërë artisti i parë latino-amerikan që ka gjeneruar më shumë se 1 miliard dollarë të ardhura totale nga turnetë koncertale bëhet e ditur nga Billboard.
Turneu i tij aktual, “Debí Tirar Más Fotos World Tour“, i cili nisi në vitin 2025 dhe pritet të përfundojë në korrik 2026, ka siguruar rreth 360 milionë dollarë dhe ka shitur 2.4 milionë bileta vetëm në 41 koncertet e para.
Një nga veçoritë e këtij turneu është fakti se nuk përfshin asnjë koncert në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësisht debatit që shkaktoi fillimisht kjo zgjedhje, turneu është shndërruar në më të suksesshmin në histori për sa i përket të ardhurave dhe biletave të shitura pa asnjë ndalesë në SHBA, ndërsa artisti performon ekskluzivisht këngë në gjuhën spanjolle.
Gjatë 10 koncerteve të mbajtura në Madrid, në stadiumin “Riyadh Air Metropolitano”, Bad Bunny shiti rreth 623 mijë bileta, duke e çuar numrin total të spektatorëve në 2.36 milionë. Kjo shifër i mundësoi të thyejë rekordin e vendosur nga grupi Take That me turneun “Progress Live në vitin 2011”, si edhe të lërë pas turne të famshëm si “14 on Fire” i The Rolling Stones.
“Debí Tirar Más Fotos World Tour” konsiderohet tashmë turneu më i madh në karrierën e artistit portorikan, duke tejkaluar edhe suksesin e World’s Hottest Tour, i cili në vitin 2022 kishte gjeneruar 314 milionë dollarë të ardhura.
Kjo nuk është hera e parë që artisti shkruan histori. Në vitin 2020, albumi “El Último Tour del Mundo” u bë albumi i parë në gjuhën spanjolle që arriti vendin e parë në klasifikimin Billboard 200. Dy vite më vonë, ai u bë artisti i parë joanglishtfolës që kryesoi renditjen vjetore Top Artists./mxh
