Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Një zjarr masiv ka përfshirë të premten një resort luksoz në Republikën Domenikane, duke detyruar evakuimin e rreth 1,690 turistëve nga kompleksi “Viva Dominicus Beach by Wyndham” në zonën turistike të Bayahibe. Sipas autoriteteve lokale dhe mediave italiane, një turiste italiane ka humbur jetën si pasojë e incidentit. Ajo dyshohet se ka pësuar një krizë respiratore pasi doli me shpejtësi nga resorti drejt plazhit, ku u përfshi nga një re e dendur tymi dhe humbi ndjenjat. Vdekja e saj është konfirmuar edhe përmes ambasadës italiane në Republikën Domenikane.
Ekipet e emergjencës kanë evakuuar me shpejtësi pushuesit dhe i kanë zhvendosur në hotele të tjera në zonë, ndërsa zjarrfikësit kanë punuar për të vënë nën kontroll flakët. Autoritetet thanë se përhapja e shpejtë e zjarrit u favorizua nga era e fortë dhe struktura e çative pjesërisht prej kashtë.
Sipas Qendrës së Operacioneve të Emergjencës, pjesa më e madhe e kompleksit është dëmtuar rëndë, ndërsa hoteli tjetër pranë, “Viva Wyndham Dominicus Palace”, nuk është prekur dhe vazhdon funksionimin normal.
Policia ka publikuar pamje nga vendngjarja ku shihen ndërtesa të shkatërruara dhe tym i dendur.
Autoritetet konfirmojnë se situata është vënë nën kontroll, por hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit janë ende në zhvillim.
