Elvis Koçi, i njohur edhe me emrin Elvis Çaushllari dhe me nofkën “Vis Korçari”, është 34-vjeçari nga Elbasani që u arrestua mbrëmjen e djeshme në Ksamil pas një operacioni të përbashkët të forcave operacionale të Policisë së Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, efektivë të ardhur nga Tirana kishin kohë që e ndiqnin dhe e lokalizuan gjatë ditës së djeshme në Ksamil. Rreth orës 22:30 u organizua operacioni për kapjen e tij, në bashkëpunim me agjentë civilë të sektorit të krimeve në Sarandë.
34-vjeçari sapo ka parë policinë ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme me automjet, gjatë të cilave ka përplasur dy mjete e policisë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë janë angazhuar forca të shumta policore, të mbështetura edhe nga FNSH. Pas rreth 30 minutash kërkime, 34-vjeçari është lokalizuar nga agjentët e krimeve pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil-Butrint, ku edhe është vënë në pranga.
Gjatë operacionit është sekuestruar edhe automjeti që ai përdorte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Ky person është me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale dhe rezulton i kërkuar nga GJKKO.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast” për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip “Audi”, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit.
Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./kb
