Last Updated on 23/06/2026 by EL
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Milano të Italisë, ku një efektiv i policisë Lokale Francesco Imprezzabile, 39 vjeç ka humbur jetën gjatë një ndjekje policore e cila përfundoi me aksident.
Sipar raportimit të bërë nga mediat italiane, ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së hënës në zonën periferike të Ponte Lambro, aty ku një automjet tip Audi Q7, i marrë me qira, brenda të cilit ndodheshin dy shqiptarë nuk iu bind urdhrit të policisë në një postobllok duke u larguar me shpejtësi.
Menjëherë është organizuar ndjekja nga efektivi Imprezzabile me motor të shërbimit, i mbështetur edhe nga patrulla të Policisë Rrugore. Më tej rreth orës 21:00 në rrethana të pazbardhura ende, polici humbi kontrollin e motorit dhe u rrëzua në rrugën “Via Milano”, më tej ai u transportua me urgjencë drejtë spitalit të zonës por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
Të nesërmen në mëngjes, pra sot, automjeti i përdorur nga shqiptarët është gjetur i braktisur në Pioltello, rreth 10 kilometra larg vendit të aksidentit. Pak më vonë, autoritetet kanë identifikuar dhe ndaluar drejtuesin e mjetit së bashku me një person tjetër në provincën Monza e Brianza, gjatë një operacioni të përbashkët të policive lokale.
Hetimet po fokusohen në mënyrën se si ndodhi rrëzimi fatal, duke shqyrtuar disa pista: nga mundësia e kontaktit mes motorit dhe automjetit në arrati, deri te versioni i një goditjeje të qëllimshme./et
