Komisionerja e Evropës për Mesdheun, Dubravka Suica, do të takohet me ministrin e Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar në Jeruzalem. Suica ka nisur prej ditës së djeshme, 22 qershor, një vizitë dy ditore në Lindjen e Mesme.
Takimi me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, ka ngjallur diskutime pas vendimit të tij, të shpallur pak ditë më parë, për të ndërprerë marrëdhëniet me Kaja Kallas, të cilën e akuzoi, sipas një informacioni të rrjedhur në media, se kishte krahasuar disa politika në territoret e pushtuara me aparteidin.
Takimi mes Suicas dhe ministrit izraelit vjen në një kohë kur ky i fundit deklaroi prishjen e marrëdhënieve me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Javën e kaluar, Sa’ar kishte njoftuar se po i shkëpuste të gjitha lidhjet me Kallas, pas vërejtjeve që ajo bëri gjatë një vizite të kohëve të fundit në Meksikë, duke e krahasuar Izraelin me regjimin racist të aparteidit në Afrikën e Jugut.
“Nuk kam zgjidhje tjetër veçse të ndërpres të gjitha kontaktet me znj. Kallas derisa ajo të tërheqë shpifjen për gjak që i drejtoi shtetit të vetëm hebre në botë, i cili është gjithashtu e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme”, thuhej në deklaratën e tij.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e pyetur pwr takimin zyrtar mes Suica dhe Sa’ar, tha se “Udhëtimi ishte planifikuar prej kohësh. Dialogu dhe angazhimi i respektueshëm e konstruktiv janë të rëndësishëm me të gjithë partnerët tanë, aq më tepër kur ka mospajtime.”
Suica diskutoi me Sa’ar edhe për marrëdhëniet dypalëshe BE-Izrael, si dhe për situatën dhe rindërtimin në Gaza./MXH
