Last Updated on 23/06/2026 by Monika
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar sot lidhur me protestat qytetare që dje përmbushi ditën e 24-t.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi shprehet se protesta është e drejtë kushtetuese dhe shprehje e shëndetshme e pluralizmit demokratik, por meriton të mbrohet nga individët që duan ta instrumentalizojnë për agjeenda të ndryshme nga thelbi i saj.
Sipas kryeparlamentarit, lufta e UÇK-së është trashëgimi e shenjtë e të gjithë shqiptarëve, që nuk duhet të përdoret si karburant elektoral apo mjet presioni ndaj institucioneve.
“Protesta është e drejtë kushtetuese dhe shprehje e shëndetshme e pluralizmit demokratik.
Por pikërisht për këtë arsye, ajo meriton të mbrohet nga ata që duan ta instrumentalizojnë për axhenda të ndryshme nga thelbi i saj.
Lufta e UÇK-së është trashëgimi e shenjtë e të gjithë shqiptarëve. Ajo nuk duhet të përdoret si karburant elektoral apo mjet presioni ndaj institucioneve. Kush e përdor atë kujtesë për të penetruar në një lëvizje qytetare që nuk ka asnjë lidhje me të, nuk e nderon atë luftë.
Përkundrazi, tenton ta zhvlerësojë atë.
Interesi kombëtar, sovraniteti dhe stabiliteti nuk janë sllogane, por janë vijë e kuqe për të gjithë, përfshirë politikën dhe çdo lëvizje qytetare.
Ndaj është detyrë e të gjithëve të imunizohemi nga manipulatorët e historisë.
Ndaj ndiej për detyrim të ndaj këtë qëndrim sot.
Kosova është e shenjtë.
Shqipëria është e shenjtë”,-shprehet Peleshi./mxh
