Lideri i “Reform UK”, Nigel Farage, është përfshirë në një valë të madhe kritikash pas deklaratave të tij se nuk është punë e publikut të dijë se si ai i shpenzon 5 milionë paund, ose 5.8 milionë euro, të marra si dhuratë nga një miliarder i kriptomonedhave. Ai shtoi se paratë ishin për sigurinë e tij personale.
“Është diçka që absolutisht nuk ju hyn në punë. Nëse do t’i kisha dhënë për bamirësi, që në të vërtetë nuk e kam bërë, unë e di se për çfarë shërbejnë ato para. Nuk është puna e publikut. Nuk është detyrë e BBC-së të më vendosë mua në rrezik, prandaj nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.”
Komisioneri i Standardeve Parlamentare ka nisur një hetim për të parë nëse Farage ka shkelur rregullat e kodit të sjelljes. Ndërkohë, rivalët politikë kanë kërkuar transparencë, ndërsa e kanë konsideruar dhuratën si “shpërblim për Brexit-in”.
Megjithatë, Farage këmbëngul se është plotësisht i pastër dhe se dhurata e pranuar në fillim të vitit 2024 ishte një çështje tërësisht private./mxh
