Autoritetet e emëruara nga Moska në Gadishullin e aneksuar të Krimesë njoftuan se të paktën dy persona humbën jetën pas një vale të re sulmesh ukrainase.
Sipas kreut të administratës së Krimesë, Sergei Aksyonov, një nga viktimat ishte i mitur, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur në zonën përreth qytetit të Simferopolit.
Viktima u raportuan edhe në rajonin rus të Bryanskut, pranë kufirit me Ukrainën.
Guvernatori në detyrë, Yegor Kovalchuk, tha se një dron goditi një automjet pranë fshatit Solova, duke vrarë drejtuesin 23-vjeçar dhe një pasagjer 15-vjeçar.
Sulmet me dronë shkaktuan gjithashtu zjarre në rajonin jugor rus të Krasnodarit.
Autoritetet lokale njoftuan se mbetjet e një droni shkaktuan zjarr në territorin e një depoje nafte në Poltavskaya, objekt që ishte goditur edhe javën e kaluar. Një tjetër zjarr shpërtheu në një kompleks industrial në distriktin Abinsky, gjithashtu si pasojë e rënies së mbetjeve të dronëve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në rrjetet sociale sulmin ndaj depos së naftës dhe deklaroi se objektiv i operacionit ishin edhe dy rafineri në qytetin Ufa, në republikën ruse të Bashkortostanit.
Nga ana tjetër, kreu i republikës, Radiy Khabirov, tha se sulmi me dronë ishte zmbrapsur dhe se mbetjet kishin rënë në një zonë industriale pa shkaktuar të lënduar apo ndërprerje të aktivitetit ekonomik.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës kishte rrëzuar 269 dronë ukrainas mbi territorin rus dhe mbi Krimenë e aneksuar. Edhe pse këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, ato tregojnë intensitetin e sulmeve të fundit.
Ndërsa lufta hyn në vitin e pestë, Ukraina ka shtuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve ushtarake ruse, me synimin për të dëmtuar furnizimet me karburant të ushtrisë ruse dhe për të ulur të ardhurat nga sektori energjetik. Sipas raportimeve, mungesat e karburantit po shfaqen në gjithnjë e më shumë rajone të Rusisë, me Krimenë ndër zonat më të prekura./mxh
