Gjermania dhe Izraeli kanë zhvilluar sot manovra të përbashkëta ushtarake në ujërat pranë qytetit Haifa, në veri të Izraelit.
Para manovrave, një anije e marinës gjermane ishte ankoruar në portin e Haifas, njoftoi sot ushtria izraelite (IDF).
“Kjo vizitë përbën një hap tjetër drejt forcimit të marrëdhënieve profesionale dhe operacionale mes dy marinave”, shtoi ajo.
Gjatë vizitës, komandanti gjerman Volker Kübsch, i cili drejton skuadrën e katërt të fregatave, dhe komandanti i anijes gjermane, Rico Geisler zhvilluan një takim me komandantin e Bazës Detare të Haifas, admiralin Eres Ben Zion.
Bashkëpunimi ushtarak mes Izraelit dhe Gjermanisë përfshin, jo vetëm projekte të mbrojtjes, por edhe manovra të përbashkëta dhe vizita të ndërsjella.
Marina gjermane mban marrëdhënie të ngushta me disa partnerë në rajonin e Mesdheut.
Izraeli aktualisht, disponon pesë nëndetëse të ndërtuara në Gjermani, ndërsa janë planifikuar edhe dërgesa të tjera.
Kjo marrëveshje është konsideruar shpesh e debatueshme, pasi sipas ekspertëve, këto nëndetëse mund të jenë teorikisht të afta, për përdorim të armëve bërthamore.
Ndihma ushtarake gjermane për Izraelin, ka qenë gjithashtu shpesh në qendër të debatit për shkak të veprimeve të Izraelit në Territoret e Pushtuara Palestineze.
Gjatë luftës në Gaza vitin e kaluar, kancelari gjerman Friedrich Merz vendosi përkohësisht, një ndalim të pjesshëm të eksportit të armëve, që mund të përdoreshin në Rripin e Gazës.
Ky ndalim u hoq rreth tre muaj e gjysmë më vonë, pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas./mxh
