Last Updated on 26/06/2026 by Anisa
Venezuela po përballet me një nga fatkeqësitë më të rënda natyrore në historinë e saj, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë garën me kohën për të nxjerrë të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave të shembura pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin pranë kryeqytetit, Karakas.
Sipas të dhënave paraprake, të paktën 235 persona kanë humbur jetën dhe mbi 4.300 të tjerë janë plagosur. Megjithatë, autoritetet dhe ekspertët paralajmërojnë se bilanci mund të rritet ndjeshëm, pasi mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur. Vlerësimet tregojnë se ekziston një mundësi prej 42 për qind që numri i viktimave të kalojë 10 mijë, ndërsa 33 për qind që ai të tejkalojë edhe shifrën e 100 mijë.
Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, u regjistruan njëri pas tjetrit, me epiqendra shumë pranë sipërfaqes së tokës, çka shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ndërtesa.
Më shumë se 250 ndërtesa janë dëmtuar rëndë ose janë shembur plotësisht, kryesisht në qytetin bregdetar të La Guaira, ku një hotel 10-katësh u rrëzua duke u kthyer në një grumbull rrënojash. Banorët raportojnë se britmat për ndihmë dëgjohen ende nga poshtë ndërtesave të shembura. Në mungesë të pajisjeve të specializuara, shumë prej operacioneve të shpëtimit po kryhen me mjete primitive dhe madje edhe me duar.
Mes historive që kanë sjellë shpresë është shpëtimi i një foshnje të porsalindur, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat në La Guaira.
Ndërkohë, një platformë online për gjurmimin e personave të zhdukur ka regjistruar rreth 50 mijë persona të raportuar si të pagjetur, mes tyre edhe shtatë futbollistë të kombëtares venezueliane.
Komuniteti ndërkombëtar ka reaguar duke premtuar ndihmë humanitare. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një paketë ndihme prej 150 milionë dollarësh dhe kanë lehtësuar përkohësisht disa nga sanksionet ndaj Venezuelës për të përshpejtuar mbështetjen. Gjithashtu, ushtria amerikane po dërgon avionë dhe anije transporti për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave emergjente.
Aeroporti kryesor i Venezuelës, pranë Karakasit, është mbyllur për shkak të dëmeve të konsiderueshme në infrastrukturë, ndërsa paslëkundjet vazhdojnë të godasin zonën. Deri më tani janë regjistruar rreth 30 pasgoditje, duke vështirësuar më tej operacionet e shpëtimit dhe duke rritur frikën mes banorëve./ad
