Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) Rafael Grossi, deklaroi se angazhimi i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore duhet të shoqërohet me një sistem “shumë të fortë” verifikimi, ndërsa vazhdojnë negociatat mes Teheranit dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të përhershme.
Grossi tha se deklaratat politike nuk mjaftojnë dhe se inspektimet ndërkombëtare duhet të rifillojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sipas tij, objektivi kryesor i marrëveshjes është të garantohet që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore.
Bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së nisën pas marrëveshjes paraprake të arritur javën e kaluar për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa programi bërthamor mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të negociatave.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse inspektorët e IAEA-s do të lejohen të rikthehen në objektet bërthamore iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka pranuar plotësisht rikthimin e inspektimeve, ndërsa autoritetet iraniane kanë mohuar se planifikojnë të lejojnë hyrjen e agjencisë.
Sipas marrëveshjes paraprake, rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet të hollohen nën mbikëqyrjen e IAEA-s.
Para luftës, agjencia vlerësonte se Irani zotëronte rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60%, ndërsa nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këtë rezervë pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objekteve bërthamore.
Grossi tha se një alternativë do të ishte transferimi i uraniumit jashtë Iranit, duke shtuar se ekzistojnë disa zgjidhje teknike për menaxhimin e materialit bërthamor.
Përveç programit bërthamor, një tjetër pikë kyçe e negociatave mbetet Ngushtica e Hormuzit.
Irani ka propozuar vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë në këtë rrugë strategjike detare, një ide që është kundërshtuar ashpër nga Uashingtoni dhe vendet e Gjirit./mxh
