Last Updated on 26/06/2026 by EL
Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara janë rritur me 39% gjatë vitit 2025, duke arritur në 221 milionë lekë, nga 159 milionë lekë që ishin një vit më parë.
Sipas AAPSK, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të krijuara nga administrimi i këtyre pasurive është përdorur për të mbështetur institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, duke e kthyer konfiskimin e aseteve në një burim financimi për vetë shtetin.
Përfaqësuesit e agjencisë theksuan se procesi nuk përfundon me vendimin e gjykatës për konfiskimin e një pasurie, por vijon me administrimin e saj, me synimin për të ruajtur vlerën ekonomike, për të mbrojtur interesin publik dhe për të mos lejuar rikthimin e përfitimeve të aktivitetit kriminal te autorët.
AAPSK bëri të ditur se një tjetër objektiv është përdorimi social i pasurive të konfiskuara. Sipas agjencisë, këto asete synohet të shndërrohen në qendra komunitare, institucione sociale, hapësira edukimi dhe shërbime publike, në përputhje me praktikat evropiane.
Në të njëjtën kohë, agjencia pranoi se administrimi i pasurive të sekuestruara shoqërohet me sfida, si mirëmbajtja e tyre, administrimi i bizneseve që vazhdojnë aktivitetin, vlerësimi profesional i aseteve dhe nevoja për ekspertizë të specializuar.
Gjatë aktivitetit u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese, SPAK-ut, gjykatave, Zyrës së Rikuperimit të Aseteve dhe institucioneve financiare, ndërsa AAPSK njoftoi se ka zgjeruar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë dhe institucione homologe në Itali, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovë si edhe me organizata si GIZ, UNODC dhe UNICEF, me synimin për të ndërtuar modele moderne administrimi dhe për të rritur profesionalizmin institucional./et
