Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që parashikon lehtësimin e sanksioneve ndaj sektorëve të naftës dhe petrokimisë, pritet të sjellë lirimin e miliarda dollarëve të aseteve të ngrira iraniane, sipas deklaratave të Presidentit iranian Masoud Pezeshkian.
Ndërkohë, burime të cituara nga Reuters bëjnë me dije se ekipet teknike të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara pritet të zhvillojnë bisedime në ditët në vijim në Doha, me fokus zbatimin e marrëveshjes dhe uljen e tensioneve.
Sipas të njëjtave burime, janë krijuar edhe kanale komunikimi mes palëve për të shmangur incidente të mundshme, ndërsa parashikohet që përkohësisht të ndalen sulmet dhe të garantohet lëvizja e lirë e anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Në këtë kuadër, Irani dhe Omani kanë zhvilluar gjithashtu takimin e parë të komitetit të përbashkët për menaxhimin e ngushticës në Muscat, ku janë diskutuar çështje mbi sovranitetin dhe administrimin e ardhshëm të kësaj rruge strategjike detare.
Megjithatë, situata mbetet e ndërlikuar, pasi vendet e Gjirit kundërshtojnë çdo skenar që parashikon tarifa apo kufizime për lundrimin ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit, një prej arterieve kryesore të tregtisë globale të naftës.
