Last Updated on 29/06/2026 by EL
Presidenti francez Emmanuel Macron priti këtë të hënë në Pallatin Elysee Sulltanin e Omanit, Haitham bin Tariq Al Said, në vizitën e parë zyrtare të monarkut në Francë që nga ngjitja e tij në fron.
Takimi kishte për qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa të dyja palët pritet të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi. Në axhendën e bisedimeve ishin edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon dhe siguria në Ngushticën e Hormuzit.
Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte paraqitja e Emmanuel Macron me syze dielli “aviator”. Sipas bashkëpunëtorëve të presidentit francez, ai po përballet sërish me një problem në sy, pa u dhënë detaje të mëtejshme për natyrën e tij.
Macron i mbajti syzet si gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve në Pallatin Elysee, ashtu edhe gjatë forumit të biznesit të mbajtur më vonë në një hotel në Paris.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti francez shfaqet me syze dielli. Janarin e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ai u pa gjithashtu me syze aviatori, gjë që u komentua gjerësisht në rrjetet sociale./et
