Autoritetet polake kanë ndaluar 11 persona të dyshuar se kanë ndihmuar shërbimet ruse të zbulimit të rekrutojnë refugjatë ukrainas për të marrë pjesë në protesta me motive politike, njoftuan sot zyrtarët.
Sipas Agjencisë së Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW), të arrestuarit, nëntë shtetas ukrainas dhe dy bjellorusë, dyshohet se kanë rekrutuar dhe paguar refugjatë ukrainas që jetojnë në Poloni për të marrë pjesë në demonstrata.
Autoritetet pretendojnë se operacioni është drejtuar dhe financuar nga Rusia.
Koordinatori i shërbimeve të inteligjencës, Tomasz Siemoniak, deklaroi se të gjithë të dyshuarit kishin lidhje me Rusinë ose aleaten e saj, Bjellorusinë, dhe se do të deportohen nga Polonia.
Sipas hetuesve, protestat janë nxitur duke shfrytëzuar çështje emocionale, përfshirë raportimet për skandale korrupsioni dhe zhvillimet e fundit në politikën e brendshme të Ukrainës.
Agjencia e Sigurisë së Brendshme tha se qëllimi ishte nxitja e tensioneve dhe përdorimi i refugjatëve ukrainas si mjet i ndikimit rus.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është një nga mbështetëset kryesore politike dhe ushtarake të Ukrainës dhe ka pranuar afro një milion refugjatë ukrainas që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
Autoritetet polake kanë akuzuar vazhdimisht shërbimet sekrete ruse dhe bjelloruse për kryerje operacionesh spiunazhi dhe sabotimi në territorin polak përmes rekrutimit të bashkëpunëtorëve lokalë.
Arrestimet vijnë pak ditë pas vrasjes së një artisti rus në mërgim në Poloni, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Kremlinit.
Kryeministri Donald Tusk e ka cilësuar ngjarjen si një vrasje me motive politike, ndërsa policia ka ndaluar një të dyshuar./Mxh
