Last Updated on 30/06/2026 by Kesjana
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar një punonjës të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria Rajonale e AMP-së në Tiranë ndaloi me iniciativë efektivin me inicialet E.M., pas veprimeve të menjëhershme hetimore që ngritën dyshime se ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij të mitur.
Pas vlerësimit të rrethanave dhe me autorizimin e prokurorit, AMP procedoi me ndalimin e punonjësit të policisë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa i arrestuari është vënë në dispozicion të organit të akuzës për vijimin e procedurave ligjore.
Në reagimin e saj, AMP thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e ligjshmërisë, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit./kb
