Një valë e fortë të nxehti vijon të përfshijë vendet e Ballkanit, duke i shtyrë qytetarët të kërkojnë mënyra për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta. Në Shqipëri, shumë banorë dhe pushues iu drejtuan plazheve, ndërsa në Serbi qytetarët u mblodhën pranë shatërvanëve dhe burimeve publike të ujit për t’u freskuar.
Në bregdetin shqiptar, pushuesit kaluan pjesën më të madhe të ditës nën çadra ose në det, për t’i shpëtuar vapës përvëluese. Banori Hajdin Rexhepi tha se qëndrojnë nën çadra dhe, kur temperaturat bëhen të padurueshme, futen në det për t’u freskuar, ndërsa në orën e drekës preferojnë të kthehen në apartament ose të hanë në një restorant.
Edhe banorja Gjyste Mandreu u shpreh e shqetësuar për temperaturat e larta, duke thënë se i gjithë muaji qershor ka qenë jashtëzakonisht i nxehtë. Sipas saj, vapa mbetet e fortë edhe gjatë mbrëmjes, kur temperaturat arrijnë deri në 37 gradë Celsius.
Ndërkohë, në kryeqytetin serb, Beograd, qytetarët dhe turistët u panë duke pirë ujë nga shatërvanët publikë, duke mbushur shishe me ujë dhe duke konsumuar akullore për t’u përballur me temperaturat e larta.
Turisti nga Athina, Constantine Ladavu, tha se mbrojtja nga dielli me kapele, syze dhe krem mbrojtës është e domosdoshme, por shtoi se temperaturat janë aq të larta sa planifikojnë të qëndrojnë në ambiente me ajër të kondicionuar sapo të kenë mundësi. Ai u shpreh gjithashtu i befasuar që moti në Beograd rezultoi më i nxehtë se në Greqi, gjë që nuk e kishin parashikuar kur rezervuan udhëtimin.
Sipas të dhënave, vala e të nxehtit, e cila nisi më 20 qershor, ka shënuar temperatura rekord për fillimin e verës në rajon. Kushtet ekstreme kanë shkaktuar probleme në prodhimin e energjisë elektrike, dëmtime në infrastrukturë dhe kanë rritur ndjeshëm ngarkesën mbi sistemet shëndetësore në disa vende të Ballkanit./mxh
