Një pallat katërkatësh u shemb të martën në zonën e Petralonës, në Athinë, duke vënë në alarm shërbimet greke të emergjencës.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën forcat e zjarrfikëses, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe qentë e trajnuar për të kontrolluar rrënojat, ndërsa operacioni vijoi për të përjashtuar mundësinë që persona të tjerë të kenë mbetur të bllokuar.
Autoritetet greke bënë të ditur se katër personat, të cilët fillimisht dyshohej se ndodheshin nën rrënoja, u lokalizuan dhe rezultuan jashtë rrezikut. Megjithatë, kërkimet vazhduan si masë paraprake.
Pallati i shembur kishte shtatë apartamente. Ende nuk dihen shkaqet e incidentit, ndërsa hetimet kanë nisur për të përcaktuar arsyet e shembjes.
Sipas zjarrfikëses, pranë godinës po zhvilloheshin punime ndërtimi në një ndërtesë ngjitur, fakt që po merret në shqyrtim nga autoritetet gjatë hetimeve.
Zona është izoluar, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë kontrollet për të garantuar se nuk ka persona të tjerë nën rrënoja./mxh
