Sunny Hill Festival ka zbuluar një tjetër emër të madh ndërkombëtar që do t’i bashkohet edicionit të shumëpritur të këtij viti. Pas konfirmimit të superyllit të popit Katy Perry dhe DJ-it me famë botërore Martin Garrix, organizatorët kanë njoftuar se në skenën e festivalit do të ngjitet edhe Lewis Capaldi.
Festivali, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026, premton edhe këtë vit një program spektakolar me artistë të njohur nga skena ndërkombëtare, duke e kthyer Kosovën në një nga destinacionet më të rëndësishme muzikore të verës.
Lewis Capaldi konsiderohet një nga këngëtarët britanikë më të suksesshëm të dekadës së fundit. I njohur për hitet globale si Someone You Loved, Before You Go dhe Wish You The Best, ai ka fituar miliona fansa në mbarë botën falë zërit të tij karakteristik dhe baladave emocionuese. Këngëtari ndau posteri njoftues dhe u shpreh i emocionuar për vizitën e tij të parë në Kosovë.

Me këtë konfirmim, Sunny Hill Festival vazhdon të forcojë reputacionin si një nga festivalet më të mëdha në rajon, ndërsa pritet që organizatorët të zbulojnë edhe emra të tjerë të njohur në javët në vijim.
Edicioni i vitit 2026 pritet të mbledhë mijëra adhurues të muzikës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës për tri net me performanca spektakolare dhe atmosferë unike./mxh
