Last Updated on 30/06/2026 by EL
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, paraqiti këtë të martë në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2025, ku evidentoi rezultatet e punës, problematikat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe rekomandimet për përmirësimin e tij.
Metani bëri të ditur se Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka përmbushur të tetë rekomandimet e miratuara nga Kuvendi për vitin 2025, duke ndërmarrë masa për forcimin e inspektimeve, digjitalizimin e proceseve dhe bashkëpunimin me institucionet e sistemit të drejtësisë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë administruar gjithsej 3,272 ankesa, prej të cilave 1,792 të reja dhe 1,480 të mbartura nga vitet e mëparshme. Nga këto, janë shqyrtuar 1,635 ankesa, ndërsa janë zhvilluar 12 hetime disiplinore dhe janë nisur 8 procedime disiplinore ndaj magjistratëve.
Metani theksoi se numri i ulët i procedimeve disiplinore nuk tregon mungesë kontrolli, por funksionimin e mekanizmit filtrues të verifikimit të ankesave.
“Çdo pretendim ndaj punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve verifikohet, ndërsa hetimi disiplinor nis vetëm kur ekzistojnë elementë të mjaftueshëm ligjorë dhe faktikë,” u shpreh ai.
Nga analiza e ankesave rezulton se shqetësimet më të shpeshta të qytetarëve lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore, vonesat në hetime, vonesat në arsyetimin e vendimeve dhe pretendimet për vendimmarrje të padrejtë.
Sipas të dhënave të ILD-së, gjatë vitit 2025 janë regjistruar:
- 255 ankesa për zvarritje të gjykimeve;
- 159 ankesa për zvarritje të hetimeve;
- 462 ankesa për vendimmarrje të padrejtë;
- 110 ankesa për vonesa në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.
Gjatë raportimit, Metani ngriti shqetësimin edhe për problematika me karakter strukturor, duke përmendur mungesën e infrastrukturës në disa gjykata, zhvillimin e seancave joproduktive, respektimin e etikës nga magjistratët, si dhe nevojën për analizimin e efekteve të hartës së re gjyqësore.
Ai bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se përmirësimi i sistemit nuk mund të arrihet vetëm përmes mekanizmave disiplinorë, por kërkon reforma të koordinuara, investime dhe planifikim afatgjatë.
Në përfundim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi se sistemi i drejtësisë vijon të përballet me sfida strukturore, ndërsa nënvizoi se forcimi i etikës, përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit institucional mbetet kyç për rritjen e besimit të qytetarëve dhe afrimin e sistemit me standardet evropiane./et
