Komediani i famshëm turk Deniz Goktas, i njohur për shfaqjet e tij stand-up që mbledhin miliona shikime në internet, u arrestua në aeroportin e Stambollit të hënën me akuzën e fyerjes së Islamit.
Mediat e huaja raportojnë se arrestimi i 32-vjeçarit Deniz Goktas vjen në mes të një vale goditjesh që synojnë këdo që shihet si kritik ndaj qeverisë islamisto-konservatore dhe vlerave të saj. Një numër në rritje hetimesh gjyqësore po synojnë muzikantë, artistë, gazetarë dhe politikanë të opozitës.
“Deniz Göktaş u arrestua në aeroportin e Stambollit më 2 korrik”, tha zyra e prokurorit të Stambollit në një deklaratë, duke shtuar se kishte marrë 185 ankesa në lidhje me performancat e komedianit dhe kishte nisur një hetim për fyerje publike të vlerave fetare të Turqisë.
Një shfaqje komedie 90-minutëshe, e cila u xhirua në Stamboll më 1 qershor, u ngarkua në YouTube më 24 qershor dhe që atëherë është parë gati nëntë milionë herë. Në shfaqje, komediani hedh një vështrim satirik mbi zhvillimet politike të vendit, me referenca ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe kundërshtarit të tij kryesor, kryetarit të burgosur të Stambollit Ekrem İmamoğlu, arrestimi i të cilit në mars 2025 shkaktoi protesta masive.
Prokurorët kanë nisur një hetim, duke pretenduar se videoja përmban gjuhë fyese që përbën vepër penale. Komediani i lindur në Ankara filloi karrierën e tij në stand-up në një klub të Stambollit në vitin 2019. Që atëherë ai ka performuar në të gjithë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara./mxh
