Trafiku i rënduar po e kthen lëvizjen në Tiranë në një sfidë rraskapitëse, duke shkaktuar humbje të mëdha kohe dhe rritje të ndjeshme të kostove të jetesës për banorët. Të dhënat tregojnë se në rrugët e kryeqytetit qarkullojnë çdo ditë mbi 200 mijë automjete, një shifër kjo që e kalon me disa herë kapacitetin mbajtës të infrastrukturës aktuale.
Përqendrimi i lartë i popullsisë, shtimi i vazhdueshëm i mjeteve private dhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme të parkimit kanë bërë që gjatë orëve të pikut, shpejtësia mesatare e lëvizjes të bjerë në vetëm 10 deri në 15 kilometra në orë. Në akset kryesore, vargu i makinave mbetet i palëvizshëm për cikle të tëra semaforësh.
Ky bllokim masiv ka një kosto të faturueshme në ekonominë e qytetit dhe buxhetin e familjeve. Ekspertët e transportit raportojnë se drejtuesit e mjeteve humbasin mesatarisht rreth një orë e gjysmë çdo ditë vetëm duke pritur në radhët e gjata, duke e përkthyer këtë në miliona lekë të shpenzuara kot në karburant çdo muaj. Përtej dëmit ekonomik, situata po rëndon drejtpërdrejt shëndetin publik. Në nyjet më problematike të qarkullimit, nivelet e ndotjes së ajrit nga shkarkimet e gazrave kalojnë vazhdimisht normat e lejuara, duke shtuar rrezikun e sëmundjeve respiratore për qytetarët që ecin në këmbë apo jetojnë pranë rrugëve kryesore.
Zgjidhja e këtij ngërçi mbetet ende e largët, pasi edhe alternativat e lëvizjes shfaqin mangësi të theksuara dhe nuk ofrojnë efikasitetin e duhur. Transporti publik vazhdon të vuajë të njëjtat pasoja, pasi autobusët urbanë ndajnë të njëjtat korsi të bllokuara me automjetet private, duke mos i ofruar asnjë avantazh në kohë udhëtarëve. Ndërkohë, infrastruktura e korsive të dedikuara për biçikleta shpesh bllokohet nga mjetet e parkuara në shkelje të rregullave të qarkullimit, duke dekurajuar qytetarët që të zgjedhin mjetet alternative dhe ekologjike të transportit për të shkuar në punë apo shkollë./kb
