Last Updated on 03/07/2026 by EL
Dhjetë persona humbën jetën dhe 21 të tjerë mbetën të plagosur pas një shpërthimi me mjet eksploziv në një kafene në kryeqytetin sirian, Damask. Të premten, familjarë dhe qytetarë përcollën për në banesën e fundit disa prej viktimave, ndërsa autoritetet premtuan se autorët do të vihen përpara drejtësisë.
Shpërthimi ndodhi të enjten në lagjen Midan, pranë kompleksit kryesor gjyqësor të qytetit. Kafeneja ishte e frekuentuar shpesh nga avokatë dhe banorë të zonës.
Ministria siriane e Shëndetësisë njoftoi se bilanci i viktimave është rritur nga nëntë në dhjetë të vdekur. Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe hetimet vijojnë.
Shumë banorë kanë drejtuar gishtin ndaj mbështetësve të ish-presidentit Bashar al-Assad, i cili u rrëzua nga pushteti pas ofensivës së rebelëve në dhjetor 2024. Megjithatë, autoritetet nuk kanë publikuar ende prova që lidhin ndonjë grup me sulmin.
Një nga viktimat ishte Fathi Qabbani, baba i një fëmije, i cili po kalonte pranë kafenesë në momentin e shpërthimit. Vëllai i tij, Bahaa Qabbani, i cilësoi autorët si “terroristë kundër atdheut” dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë të veprojnë me vendosmëri.
Gjatë ceremonisë mortore, disa pjesëmarrës brohoritën duke kërkuar dënimin e mbështetësve të regjimit të mëparshëm.
Po të premten, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se tre efektivë të forcave të sigurisë u plagosën në një sulm me granata ndaj një postblloku në hyrje të periferisë Jaramana të Damaskut. Sipas autoriteteve, sulmuesi humbi jetën kur njëra prej granatave shpërtheu në dorën e tij, ndërsa një person tjetër u arrestua në lidhje me ngjarjen.
Qeveria e re siriane vazhdon të përballet me sfida të mëdha për të vendosur kontrollin në të gjithë vendin dhe për të frenuar aktivitetin e grupeve ekstremiste, pas përmbysjes së regjimit të Assadit.
