Last Updated on 07/07/2026 by Kesjana
Një hetim i medias britanike “The Sun” pretendon se rrjete kriminale britaniko-shqiptare po përdorin superjahte luksoze për të trafikuar emigrantë të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur kontrollet më të rrepta që ushtrohen ndaj varkave të vogla.
Sipas raportimit, gazetarët u infiltruan në një rrjet që promovonte udhëtimet përmes “TikTok”-ut, duke u paraqitur si një shtetas shqiptar i deportuar më parë nga Britania. Pas komunikimeve në WhatsApp, trafikantët thuhet se ofruan një vend në një jaht luksoz kundrejt pagesës prej 15,500 paundësh, me nisje nga Holanda dhe mbërritje pranë Doverit.
Personat e kontaktuar pretenduan se jahti kishte tri kabina luksoze dhe se në bord nuk do të kishte më shumë se dhjetë pasagjerë. Ata deklaruan gjithashtu se pagesa duhej të bëhej vetëm në Shqipëri dhe se pas mbërritjes në Angli, emigrantët do të transportoheshin me automjete drejt Londrës.
Sipas hetimit, një nga trafikantët pretendoi se kishte organizuar me sukses një udhëtim të ngjashëm vetëm dhjetë ditë më parë, ndërsa tha se shumë prej klientëve ishin persona të dënuar më parë në Britani dhe të deportuar.
“The Sun” thekson se jahtet po përdoren gjithnjë e më shpesh si alternativë, pasi ngjallin më pak dyshime dhe mund të ankorohen në marina më të vogla, duke shmangur kontrollet në portet kryesore.
Raporti vjen në një kohë kur autoritetet britanike kanë publikuar statistika sipas të cilave mijëra persona të deportuar kanë hyrë sërish në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të cituara nga media britanike, shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të rasteve të rihyrjes, me 1,525 persona të identifikuar.
Pas publikimit të gjetjeve, “The Sun” njoftoi se e raportoi llogarinë e përdorur në “TikTok”, e cila u mbyll brenda një ore për shkelje të rregullave të platformës lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore. Media deklaroi gjithashtu se dosja me provat do t’i dorëzohet Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani.
Ndërkohë, autoritetet britanike vijojnë përpjekjet për të frenuar emigracionin e paligjshëm përmes Kanalit Anglez, ndërsa vetëm gjatë këtij viti mbi 11 mijë persona kanë mbërritur në Britani me mjete të vogla lundruese, sipas statistikave zyrtare të cituara në raport./ kb
